Beitragsansicht

21 janari, prokuroria riheton organizatorët

Hetimi i demonstratës së përgjakshme të 21 janarit do të prekë edhe organizatorët. Prokuroria e Tiranës ka filluar një riverifikim për personat që mblodhën qindra mijëra persona në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Personi i parë që ka pranuar të japë dëshminë për këtë manifestim ka qenë deputeti i PS-së, Sajmir Tahiri.

Për rreth 60 minuta, Tahiri ka dëshmuar për anën organizative të demonstratës, ku humbën jetën katër qytetarë, duke dëshmuar siç tha ai, atë që ai ka parë në orët e dhunshme. Deputeti socialist ka dëshmuar dhe për turmat e konfrontuara me forcat e sigurisë në ambientet e Kryeministrisë, duke mbrojtur faktin se ka qenë policia që ka provokuar protestuesit dhe jo e kundërta. Në dalje nga godina e prokurorisë, në një prononcim për mediat, Tahiri ka shprehur gatishmërinë e PS-së për të kontribuar në zbardhjen e ngjarjes së 21 janarit.

“Para prokurorëve dëshmova ato që pashë të ndodhnin ditën e 21 janarit. Ne jemi të gatshëm të ndihmojmë në zbardhjen e krimeve të 21 janarit”, ka deklaruar Tahiri. Hetimet mbi ngjarjen, ndonëse kanë kaluar 11 muaj, nuk kanë sjellë ndonjë risi, saqë vetë familjarët e viktimave pyetën disa ditë më parë se çfarë po ndodh me hetimin e vrasjeve. 
Për muaj me radhë, organizimi i demonstratës së 21 janarit u hetua nga policia. Pas mosmarrëveshjeve pas ngjarjes, organi i prokurorisë i referoi të gjitha materialet për organizimin uniformave blu, për të mbledhur provat që demonstrata, e cila u pasua me katër të vrarë në gjirin e saj nga armët e Gardës së Republikës, u nxit nga politikanë të majtë. Akuza tha në atë kohë se: “Referimet e shumta që policia ka bërë në prokurori, duke marrë nga gazetat dhe televizionet fjalime të politikanëve të majtë, nuk kanë zbardhur nxitjen për një demonstratë të dhunshme nga opozitarët”.

Procedimi penal, me akuzën e grumbullimit dhe manifestimit të paligjshëm që ka sjellë pasoja, u verifikua nga policia, madje delegimi i këtyre veprimeve u komentua që hetimet të mos paragjykohen.

Pas 21 janarit, përfaqësues të mazhorancës kanë dalë në deklarata për shtyp, ku kanë “akuzuar” prokurorinë se nuk ka kryer veprimet e duhura për nxitësit e dhunës së 21 janarit. Ata kanë pohuar se nuk janë marrë të gjitha provat dhe nuk janë këqyrur pamjet filmike që tregonin se cilët ishin demonstruesit e dhunshëm. Megjithatë, akuza shprehet se, e përballur me këtë “presion” të mazhorancës, vendosi delegimin e këtyre veprimeve hetimore Policisë së Shtetit, pasi kjo e fundit është lavdëruar nga mazhoranca për punën e kryer më 21 janar. Madje komisioni hetimor i ngritur për “puçin e shtetit” ka dalë në konkluzionin paraprak se “policia ka kryer detyrën, madje nuk ka dhunuar asnjë protestues”. Policia e Shtetit, gjatë muajve të fundit, kreu verifikime dhe hetime në çdo drejtim ndaj politikanëve të majtë, për të dalë në idenë e mazhorancës se “ngjarjet janë nxitur nga opozita”.

Tashmë, këto materiale kanë kaluar në prokurori, ku do të rimerren në pyetje të gjithë politikanët që kanë marrë pjesë në demonstratën e 21 janarit, si dhe do të verifikohen deklaratat para dhe gjatë ngjarjes.

Era85 03.12.2011 0 991
Kommentare
Sortiere nach: 
Per Seite:
 
  • Bis jetzt noch keine Kommentare vorhanden
Post info
Era85
Mos qaj nese dikush te ka lenduar......por qesh se ke hequr qafe dike qe s'te ka vleresuar....
Bewertungen
0 votes
Aktionen
Teilen
Categories
Filme (3 beiträge)
Lajme Shqip (292 beiträge)
Movies (2 beiträge)
Ngjarje (1 beiträge)
Politics (3 beiträge)
Politik (3 beiträge)
Tech News (48 beiträge)