Beitragsansicht

Ngrihet në këmbë nëntetar Aleksandër Peci, i shpëton plumbit të marrë në nofull

Edhe pse sot mbushet një javë nga sulmi ndaj forcave shqiptare në Afganistan, babai i të plagosurit Aleksandër Peci ende nuk ka mundur të pyesë të birin sesi ndodhi ngjarja, apo ku i ka marrë plagët. Ai ka pasur vetëm një telefonatë me të, kur nëntetar Peci ka mbërritur në spital në Gjermani, moment të cilin e rrëfen me emocion, duke treguar se është ndier sikur djali i kishte lindur për herë të dytë. Jak Peci tregon javën e tij, që nga lajmi i parë për ngjarjen në Afganistan, e deri dje ku nuk mungojnë njerëzit që vijnë për të qenë pranë kësaj familjeje. Djali i tij thuhet se ka marrë një plumb në nofull, por askush nga familja nuk ka mundur ta pyesë për diçka të tillë, ndërkohë që kur kanë folur me të në internet, pamja për ta vënë re, nuk ka qenë shumë e qartë, ndërsa flitet se ka marrë edhe plumba në legen.

Jak Peci, i cili punon në ndërtim, pavarësisht moshës jo të re, të pret në shtëpinë e tij me zemër të madhe, edhe pse gjendja e tij ekonomike nuk është në nivele të larta. Duke ndezur një cigare, ndërsa dora i dridhet pak e sytë i janë skuqur nga pagjumësia, ai shprehet se ndihet më i lehtësuar, pasi i ka dëgjuar zërin të birit. “Kjo javë nuk ka qenë e lehtë për mua.

Të gjithë na kanë qëndruar pranë, por qetësinë, ashtu edhe ndjenjën më të fortë e kam provuar kur fola me djalin në telefon. Isha te homazhet për kapiten Feti Voglin dhe kur po dilnim nga Pallati i Kongreseve më ra telefoni. E ngrita e nuk dija asgjë se kush ishte, por më lëshuan këmbët, kur dëgjova zërin e tim biri. Ndoshta një moment nuk e kuptova, nëse u ndjeva mirë... Një ndjenjë më bllokoi gjoksin dhe sytë m’u mbushën me lot. Ai më tha se kishte mbërritur në Gjermani dhe sapo e kishte telefonuar Kryeministri i Shqipërisë. E pyeta si je?! Më tha mirë e që brenda një muaji mund të dilte nga spitali. Më shumë nuk e pyeta dot. Nuk mund ta lodhja djalin tim, duke e hamendësuar sesa ka vuajtur. Kur mbylla telefonin, disa ushtarakë, të cilët më kanë shoqëruar, më panë që po fshija lotët dhe më pyetën nëse ndihesha mirë dhe më pas vazhduam rrugën për t’i dhënë lamtumirën njeriut, i cili nuk pati fatin të mbijetojë si im bir, por humbi jetën në Afganistan”, tregon Jak Peci, i cili edhe pse qëndron i fortë, ashtu siç ia do zakoni, shpeshherë i dridhet zëri dhe për të fshehur veten thith cigaren që e mban në dorë.

Megjithatë, ai nuk e di se çfarë ka ndodhur me të birin, teksa shprehet se vetëm pasazhe të shkurtra i kanë treguar të tjerët dhe nuk di cilin variant të besojë. Kur e pyesim për plagët që ka marrë djali i tij, ai kërrus supet dhe nuk di një përgjigje të saktë. “Unë kam folur vetëm atë ditë në telefon, por fëmijët, sidomos motrat e tij, kanë biseduar me të në internet. Bëjnë bisedë me pamje nëpërmjet kompjuterit, por thonë që është mirë”, shprehet Jaku, ndërsa ndërhyn një djalë i ri, në moshën e Aleksandrit, i cili tregon se edhe ai ka folur, pasi e ka shok të ngushtë. “Në pamje nuk duket shumë qartë, është si me mjegull, por vihet re se ka një fasho në pjesën e fytyrës. Madje, edhe ushtarakët e tjerë thonë se ka marrë një plumb në nofull e tashmë është nën kujdes të specializuar mjekësor”, shton i riu.

Jak Peci shprehet se ashtu i kanë thënë edhe nga ushtria. Madje shton se shefi i Shtabit të Përgjithshëm e telefonon përditë dhe jep informacione mbi të birin. “Sot ishte ngritur në këmbë dhe kishte ecur vetë nëpër spital. Madje nuk ndodhet më as në reanimacion, por e kanë dërguar në të njëjtën dhomë me amerikanin e plagosur. Nuk e di nëse do ta shoh tim bir para se të kthehet nga Gjermania. Dëshira është e madhe, por nuk është mundësia”, shprehet babai i nëntetarit. Nëse ushtria u ka mundësuar ndonjë udhëtim për në Gjermani, babai i Aleksandrit shprehet se nuk di ç’të thotë. “Ushtria na ka qëndruar pranë, por nuk është diskutuar një veprim i tillë. Mbase ka qenë shumë shpejt dhe në një të ardhme të shkurtër.., mund të shohim djalin...”, shprehet ai.

Era85 27.02.2012 0 1294
Kommentare
Sortiere nach: 
Per Seite:
 
  • Bis jetzt noch keine Kommentare vorhanden
Post info
Era85
Mos qaj nese dikush te ka lenduar......por qesh se ke hequr qafe dike qe s'te ka vleresuar....
Bewertungen
0 votes
Aktionen
Teilen
Categories
Filme (3 beiträge)
Lajme Shqip (292 beiträge)
Movies (2 beiträge)
Ngjarje (1 beiträge)
Politics (3 beiträge)
Politik (3 beiträge)
Tech News (48 beiträge)