Shikime

Mendja qortuese

Në vjeshtën e vitit 2008 u takova në Vilenicë me Tomaž Šalamun-in, njërin prej referencave poetike jo vetëm në vendin e tij, Slloveninë, por në mbarë Europën. Biseduam, mes të tjerash edhe rreth një poezie të tij fare të shkurtër botuar në vitet ‘80, titulluar “Nipit dyshues”. Nisur prej modelimit me të cilin arti shqiptar i është qasur temës së atdheut, tek ajo poezi më kishte bërë përshtypje lloj i të menduarit, që mund të cilësohet si “patriotizëm kritik”. Në qendër është atdheu: një atdhe i vogël, thuajse sa një ngastër private, të cilin edhe mund të ta dhurojnë për shërbime të shquara në ndonjë lëmì. Në tekst, stereotipi i mitit zanafillor të atdheut zhvendoset drejt një tjetër miti, kinse të kundërt me të parin. Miti i atdheut zëvendësohet me mitin e banorëve të tij, ata që thjesht jetojnë, prodhojnë apo krijojnë diçka edhe në emër të atdheut. Thënë shkurt, si epigram poeti vendos kujtimin sfidues të gjyshes së tij, e cila porosit fëmijët se gjëja më e mirë që mund të bëjnë gjatë udhëtimit me tren nga Triestja për në Vjenë, është t’ia këpusin gjumit. “Flini! - u thotë ajo. - Asgjë e veçantë nuk ka për t’u parë në atë udhëtim”. Pas kësaj atdheu i poetit zvogëlohet, humbet, zhduket: “Mos dremit / në trenin e linjës Venecie – Vjenë, / lexues i dashur. / Sllovenia është kaq e vogël, /sa që mund ta humbasësh. / Është më e vogël /se ferma ime në lindje të Sierra-s! /Zgjohu, më mirë, / nxirr kokën jashtë dritares, /paçka se thotë NDALOHET / Zërin tim / të artë dëgjo!”

Duke menduar për atdheun, kujtohem se shoqëritë metaforike, ku përfshihen kryesisht shoqëritë totalitare, por edhe të porsadalat nga diktaturat, kanë dhunti prej iluzionisti. Sa herë që bëhet e nevojshme, ato dinë ta shndërrojnë shtetin herë në atdhe të dashur dhe herë në mëmëdhe në ditë të vështirë. Udhëheqësit dhe liderët e tyre u drejtohen nocioneve atdhe, komb, popull, qytetar më shpesh se në shoqëritë e hapura. Përemrat pronorë më të përdorshëm në këto raste janë në numrin shumës: “ynë, e jona, tonat”, ndërsa kolonat mbi të cilat mbështetet e gjitha kjo janë “bindje, ndershmëri, rend, pastërti, seriozitet, vërtetësi, sakrificë dhe sidomos dashuria pa kushte ndaj Atdheut”. Shteti i shndërruar në atdhe vishet me flamuj, me kostume dhe nishane kombëtare, me uniforma ushtarake apo me uniforma sportive, duke i orientuar njerëzit drejt shesheve, stadiumeve, duke besuar ndërkaq se e gjitha kjo është moral i shëndoshë dhe jo dekadencë e moralit dhe e drejtpeshimit emocional. Në librat e historisë apo të letërsisë së shtetit thuhet se, këtij atdheu i janë kushtuar shumë e shumë poema të mrekullueshme, frymëzuese dhe të gjata, ndërkohë që librat e minoriteteve të këtij shteti shkruajnë se ato poema janë vetëm të gjata. Përmes kësaj rekuizite ushqehet dhe mbahet gjallë miti i atdheut, mit ky që për të gjithë botën rezulton të ketë qenë më i kushtueshmi në sakrifica, që ka kërkuar blatime, fli dhe rituale më shumë se çdo mit tjetër. Ky është një përjetim. Në përjetimin e shumicës së qytetarëve të zakonshëm “at-mëmë-dheu” nuk është thjesht një emër. Ai është vetëm një folje. Pikërisht folja “është”. At/mëmë/dheu është. Kaq. Padyshim. Përgjithmonë. I rrethuar me dritë, me kurorë, me vështrimin tretur larg, ulur mbi shkëmbinj të thepisur, thuajse përherë në një sfond malesh, nën qiej të mvrenjtur, mes fëmijësh adhurues që mënden dhe ushqehen prej tij, pak a shumë siç paraqitet në veprën e W.A.Bouguereau dhe të realizmit socialist. Këto janë pak a shumë elementët ikonografikë të një atdheu, përfytyruar më së shumti si mëmë dhe amë. Patriacentrizëm. Bij e bija të thirrur gjithmonë në rrethana të jashtëzakonshme për t’i dhënë, dhe jo për të marrë prej tij. Dhe të gjitha në emër të kujt? Të atdheut. Po përse mund të shërbejë më ai? - pyet Emil Cioran në oden e tij qortuese-lëvduese “Për Francën”. Pa dashur të qëndroj tek përdorimi, shpesh jo me vend, i vargut të koncepteve “atdhe”-“mëmëdhe”-“vatan”-“vendi ynë”, vërej se pas Luftës së Dytë Botërore, Europa përjetoi krizën më të thellë të idesë së atdheut dhe kombit. Artikulimi i tezës së "vdekjes së atdheut" bëri që lavjerrësi i çmendur i “atdheve” nacionalistë të vihej në kërkim të baraspeshimit të humbur. Nisi kësisoj një fenomen me rëndësi: vlerësimi i individit, i jetës reale dhe jo bashkësisë së nocioneve abstrakte. Në të vërtetë, “vdekja e atdheut” të pasluftës nuk nënkuptonte asgjësimin, por rikonceptimin e marrëdhënies me të. E nëse në demokracitë popullore atdheu përjetohej si ekzaltim, në demokracitë liberale të Perëndimit qortimi ndaj atdheut ofroi dimensionin e shkëputjes nga e kaluara e atij, largimin nga ai lloj atdheu që e shihte shtetasin e tij vetëm në rolin e dhuruesit të djersës dhe të gjakut. Por, ndërsa glorifikimi i atdheut ka pasur autorësi të gjerë e të hapur, qortimi dhe çmitizimi i atdheut përkundrazi, ka pasur kryesisht një autorësi: njeriun e letrave.

Marrëdhënia e njeriut të letrave me atdheun konfigurohet pak a shumë si marrëdhënia e Sizifit me Gurin. Por ajo që nuk do të jetë thuajse kurrë e kuptueshme gjer në fund është fakti se cili do të jetë Guri dhe cili Sizifi në atë marrëdhënie ngritjesh e rrëzimesh të pafundme që i ndodh një vendi gjatë historisë. Kjo marrëdhënie shkëmbyese do të mbetet e tillë, për sa kohë që në mes është jo lëvdata, por qortimi.

Për mendësinë e trashëguar, e pranueshme cilësohet vetëm ajo pjesë e fondit ku ruhen dhe restaurohen lëvdatat, kortet, lavdet, idolatritë, kultet dhe glorifikimet. Të tjerat nuk vlejnë. Mendja afrimative duket se ka fituar përballë mendjes kritike. Njerëzit e hosanasë zënë ballin e vendit. Historia duket se punon për ata që gjenden pranë historisë dhe jo për të përjashtuarit. Në rastin e atdheut kjo sjellje nxit dy qëndrime: 1. idenë e një atdheu të pagabueshëm, që ka gjithmonë të drejtë dhe prej këtej edhe të paqortueshëm; 2. idenë e atdheut të viktimizuar, të cilit të ligjtë, armiqtë, të shiturit dhe tradhtarët i kanë rënë përherë në qafë dhe që bijtë e tij më të mirë DUHET t’i dalin përherë për zot. Një atdhe i tillë, i idolizuar, që nuk vëren se pas formës abstrakte të emrit atdhe ka njerëz të gjallë, ëndrra, vese, sëmundje sociopolitike, lëngata dhe dëshira për pushtet, është i prirur të krijojë mite të reja prej lëndës së vjetër mitike.

Sa herë bie fjala për pushtetet, i klasifikojmë ato në katër njësi. Por ekziston edhe një pushtet i pestë, ai i njeriut të letrave. Njeriu i letrave: poeti, shkrimtari, filozofi, polemisti, mendimtari i lirë, artistët apo të gjithë ata që mendojnë mbi mendimin, nuk janë aspak të paanshëm. Sidomos sot. Ai është i anshëm, por dhe mëton të pavarësohet. Ai priret të mbrojë pavarësinë e vet duke qenë më së pari me atdheun e perceptuar prej tij, atdheun e njerëzve, të cilin dhe e qorton. Njeriu i letrave futet mes pushteteve, por pa qenë i tyre. Ai është një perpetum zanafillor, i komplikuar, që nuk punon vetëm me lëndën prej demiurgu idealist të kuptimeve “Se të deshte dhe s'të deshnin / Se të qante kur të qeshnin / Se të veshte kur të çveshnin”. Për të atdhe janë jo vetëm njerëzit që jetojnë bashkëkohësisht me të, por edhe të gjitha ata që kanë jetuar përjetësisht në atë vend. Për të atdhe quhet çdo gjë njerëzore, përfshi këtu edhe fajin apo gabimin që kërkon të mos jetë më i tillë. Për Odisenë, atdheu nuk ishte Itaka, por Penelopa, Telemaku, Laerti, shtrati mbi ulli.

Moskuptimi i duhur ndaj ligjëratës bën që qortimi i njeriut të letrave ndaj atdheut të tingëllojë si oksimoron. Edhe në këtë rast, qortimi ndaj atdheut është kuptueshëm qortim ndaj njerëzve të tij. Kjo ka bërë që mbi njerëzit e letrave të bjerë përherë një mug dyshimi. Të jetë kjo formë patologjike e dyshimit të mendjeve të mbyllura, që shohin një armik pas çdo qortuesi? Të jetë rudiment i paragjykimit totalitarist se tek ata mund të mbështetesh, por jo shumë, se njerëzit e letrave, mos një herë, një herë do i nxjerrin kthetrat për të cenuar dhe shembur një nga krenaritë më eufemistike që vijon të krijojë unitet dhe krenari: atdheun? Kaq do të ketë qenë përherë e mjaftueshme për t’i cilësuar mendjet kritike si braktisës të kauzës dhe ndjesisë së përbashkët, dashakeqë, tradhtarë, dezertorë, të pabesë dhe bartës të bacilit të Dantes, që këtu e thuajse 800 vjet më parë, në këngën VI të ‘Purgatorit’ shkroi vargje që janë aktuale jo vetëm për Italinë, siç dhe na i sjell në shqipe të hershme Pashko Gjeçi: “Orzezë Itale, mbytë në lot e vajë / ani e pa pilot nëpër stuhi / jo zonjë provincash s'je, po kuplerajë!”

Tercina e Dantes vjen në vend të një pohimi që ngulmon të thotë se qortimi me shkrim i atdheut nuk është dukuri e re dhe e panjohur për botën. Kjo dukuri nuk është e re as për letrat shqipe. Qortimin ndaj atdheut e ndeshim që me librin e parë të shkruar të shqipes, më 1555. Tek “Meshari”, Gjon Buzuku u drejtohet bashkëvendësve me keqardhje se, gjuha jonë nuk kishte gjë të përmendur në Shkrimet e Shenjta. Edhe Budi, tek “Pasqyra e të rrëfyemit”, qorton "djesitë" e "leterotetë" (dijetarët e letrarët) për mungesën e shkollave dhe varfërinë që ka pllakosur. Përtej idealit “pro patria” të Rilindjes Kombëtare, duket se edhe mbi letrat shqipe ka rënë drita e mendjeve të parobëruara. Romani i (pa)përfunduar i Konicës, “Doktor Gjilpëra…”, “Anarkitë” e Nolit, “Hakërrimi” i A. Asllanit, tregime e skica të Bulkës, Koliqit, Migjenit, “Plagët tona” e M. Frashërit, bashkë me shumë tekste të etërve françeskanë, përbëjnë vetëm diçka nga prirja për t’ju kundërvënë kotësidashjes, egoizmit, padurimit apo kërkimit të fajësive tek tjetri, të cilat ne si komb i kemi shfaqur jo rrallë. Madje, edhe nën diktaturë, atëherë kur gjithçka ishte dhe dukej e pamundur, mendja kritike, ndonëse e ndëshkuar, dëshmohet.

Arsyeja e kësaj gjendjeje të vazhdueshme qortimi ndoshta nuk duhet kërkuar tërësisht tek natyra e artistit, por edhe tek natyra e artit. Për njerëzit e letrave, koha e “atdheve të lumtur”, politikë apo letrarë qofshin, ka përfunduar. Ndërkaq, për ata që i pikasin dhe i arrijnë parajsat si dhe njerëzit e politikës, të cilët gjejnë tek atdheu i lumtur përligjen e suksesit të pushtetit të tyre, atdheu ka vetëm një fytyrë: lumturinë. Natyra e artit i “detyron” njerëzit e letrave të mbajnë qëndrime kritike dhe qortuese, sidomos ndaj atdheut. Pavarësisht dukjes, arti nuk himnizon të bukurën. Më shumë se gjithçkaje, arti i është përkushtuar përshkrimit të së shëmtuarës, të frikshmes, të dhunshmes, të keqes, çnjerëzores, devijacionit apo më pak humanes pjesë të jetës njerëzore. Madje, “materia prima” për artin nuk duket se është virtyti apo e virtytshmja, por e kundërta. Ky arketip ka vlejtur për gjithë galerinë e personazheve të Gogol-it, Dostojevski-t, Baudelaire-it, Canetti-t, Camus-së, Pastërnak-ut, Orwell-it, Sabato-s, Brugel-it, për kapriçot e Goya-s dhe të Paganini-t, të cilët kur kanë krijuar, nuk janë nisur të çmitizojnë atdheun dhe as për t’i vënë atij përballë një pasqyrë të qorruar.

Por atdheu është edhe model i përkryer i shfaqjes dhe fshehjes pas tij. Pas eufemizmit “atdhe”, rrinë sukseset dhe dështimet e njerëzve të tij, paqortueshmëritë dhe faji kolektiv, lavdia apo humbja e nderit. Ky atdhe eufemistik, sidomos kur është i vogël dhe i vonuar, shfaq formën e një viktime të glorifikuar, në gjendje të përhershme kërkimi dhe gjuetie: nga njëra anë e shpëtimtarëve, dhe nga ana tjetër e fshikulluesve. Thua pas kaq vjetësh, shprehja e J. F. Kennedy-t, për “mos pyetur se çfarë mund të bëjë vendi juaj për ju, por çfarë mund të bëni ju për vendin tuaj” e ruan ende vlerën e vet kumtuese? Po atdheu, a ka detyrime ndaj “atdhetarëve” të tij, nëse do i quanim kështu ata njerëz që me përditshmëritë e tyre krijojnë historinë dhe fytyrën e një vendi?

Atdhe i mirë duket se është ai atdhe që u ofron njerëzve që jetojnë në të një të përditshme dhe një të nesërme, që jep dinjitet jo abstrakt. Dhe për të pasur një atdhe, njerëzit që banojnë në të kanë nevojë edhe për shenja, qoftë edhe fare të vogla identitare. T’i lësh njerëzit pa këto shenja, në të vërtetë nuk ke bërë tjetër veçse i ke zhveshur nga ndjesia e të pasurit atdhe. Mjafton të këqyrësh sikur dhe një tryezë buke, një tryezë kafeje apo tryezë pune të shqiptarëve të sotëm, për të dalluar se me ç’identitet rrethohemi. Kur një vend-atdhe prodhon politikë më shumë se gjithçka, ai i zhvesh pak nga pak njerëzit e vet nga dëshira e të jetuarit me atë që krijojnë vetë dhe nga ndjesia për të dëshmuar se janë të zotë e me vlerë për të bërë diçka në jetë.

Mund të vijë një kohë kur atdhe do quhet pasuria e tundshme, ajo që mund ta marrim me vete edhe në Hënë: gjuha, mënyra e të jetuarit, kujtimet, këngët, ritet, ushqimet dhe pijet, që na thonë se atdheu është një “katund pa rrënjë”. “Një komb është krijues, - shprehet sërish dhe po aty Cioran, - kur jeta nuk është vlera e tij e vetme”. Rasti e solli që para pak ditësh të vizitoj ambasadën e Shqipërisë në Sarajevo: një muze apo një ekspozitë e vogël shëtitëse, me shenja identitare nga ato që njeriu pëlqen t’i mbajë me vete ose t’i gjejë kudo ku shtegton; dhe në shërbim të tyre, njerëz të përkushtuar.

Po ç’është tek e fundit, atdheu: një kufomë e parfumosur që mban erë të mirë? Pse mbetet qortues ndaj tij njeriu i letrave? Një përgjigje mësimi na mbërrin dhe nga Lasgush Poradeci, i cili me vetëdijen e bashkëkohësit hedh fajësi mbi veten kur thotë: “e burgosëm” dhe jo “e burgosën” V.Prenushin. Dhe kjo ngaqë, çfarëdo që të ndodhë, “poeti mban përgjegjësi për gjithçka”.

Era85 11.06.2011 0 1164
Komente
Radhit pas: 
Për faqe:
 
  • Ende nuk ka komente
Post info
Era85
Mos qaj nese dikush te ka lenduar......por qesh se ke hequr qafe dike qe s'te ka vleresuar....
11.06.2011 (4726 dite me pare)
Më të votuarat
0 votes
Veprimet
Rekomandoj
Kategoritë
Filme (3 postimet)
Lajme Shqip (292 postimet)
Movies (2 postimet)
Ngjarje (1 postimet)
Politics (3 postimet)
Politik (3 postimet)
Tech News (48 postimet)