Beitragsansicht

NDËRKOMBËTARËT VAZHDOJNË TË JENË TË PAQARTË

Dhënia e drejtësisë nga Kolegji Zgjedhor do të ishte një lloj mrekullie që kërkon shumë energji për t’u besuar e shpresuar, për faktin e thjeshtë se drejtësia është një mundësi tmerrësisht e vështirë në këtë vend, për të mos thënë e pamundur. Është kaq e vështirë, sa lufta legjendare e Skënderbeut kundër turqve apo shpallja e pavarësisë në Vlorë nga Ismail Qemali, të dyja këto ngjarje të mëdha, që ndriçojnë thellë historisë së brishtë krenarinë e shqiptarëve, do të zbeheshin sot nga vendimi i Kolegjit Zgjedhor, nëse ky Kolegj do të jepte drejtësi integrale.

Mungesa e drejtësisë vërteton kapjen, por dhe harbutërinë e shtetit privat në Shqipëri. Prandaj pritshmëria e lartë e publikut nuk ka të bëjë aq me vendimin e radhës të Kolegjit Zgjedhor, pasi është pothuajse e qartë që ky vendim do të jetë si përherë në favor të pushtetit. Edhe në atmosferë ndihet instinkti i çeliktë i qeverisë për të zaptuar me çdo kusht mandatin e kreut të Bashkisë në Tiranë. Rezultati pra dihet. Kolegji Zgjedhor do të rrëzojë kërkesën e Partisë Socialiste dhe Basha do t’i bashkojë ëndrrës së madhe të atyre që e dëshironin zgjedhjen e tij, ëndrrën e tij prej kandidati që qesh. Pritshmëria pra ka të bëjë me atë çka do të ndodhë pas vendimit. Cilat do të jenë pasojat që do të sjellë ky vendim në jetën sociale të vendit, dhe cilat do të jenë strategjitë përkatëse të grupimeve politike. Çdo të bëjë Saliu me fitoren e paralajmëruar, nëse pas bashkisë, pas karriges së Lulit, ai nuk do të ketë “plasur” ende prej lumturisë që do t’i sjellë pushtimi i kështjellës së fundit të pushtetit në Shqipëri? Çdo të bëjë Edi Rama mbas rrëmbimit bajraktar të mandatit të tij ditën me diell e me hënë dhe çdo të bëjnë në vazhdim edhe ndërkombëtarët e paqartë, që nuk dihet a do të vazhdojnë të jenë të paqartë në deklaratat e tyre deri sa të qartësohet vendimi që dihet i Kolegjit Zgjedhor, apo edhe më pas?

Rrëmbimi i mandatit të kreut të Bashkisë nga Berisha është si sulmi i ariut të uritur kosheres me mjaltë. Duke e ditur me siguri vendimin e Kolegjit Zgjedhor, për shkak se ka shumë pak arsye që do ta bënin këtë gjykatë që të mos ish një levë e tij, si çdo levë tjetër e sundimit të tij, Saliu nuk po përfill zemërimin e mundshëm të bletëve opozitare. Kjo është shprehje e qartë e sigurisë së sundimtarit që di të flasë (përdorë) shumë gjuhë. I rrahur me vaj dhe me uthull, qetësia e Berishës buron te përvoja totalitare, “aksionet” e mëdha brenda klanit të tij, por edhe tek inercia që i dhuron atij vrazhdësia e të huajve, që ose janë, ose bëjnë sikur janë naivë, dhe nuk janë ose bëjnë sikur nuk janë të zotë të konstatojnë çka ndodhur realisht në zgjedhjet e 8 majit.

Megjithëse Perëndimi e ka ende të gërvishtur kujtesën prej shqetësimeve të dikurshme që i ka sjellë ky njeri gjatë tranzicionit, sidomos gjatë ‘97-s, kjo se ka penguar pushtetin e Saliut të fuqizohet ortek dhe sistemohet edhe për shkak se anëtarësimi i pamerituar i Shqipërisë në Aleancë u pasua me liberalizimin e vizave, që rezultoi një “jetë” e shtuar politike për të. Gjasat, ironia, por edhe rastësia, janë se në perceptimin e tyre, ndonëse Berisha është një personazh primitiv, është edhe faktor stabiliteti, në të njëjtën kohë, për shkak edhe të mbështetjes mbarëshqiptare të shqiptarëve të Kosovës dhe Maqedonisë, që supozohet prej tyre se ai ka. Paqartësia e qartë dhe e qëllimshme e ndërkombëtarëve pra, nëse nuk është diçka edhe më e shëmtuar, është pjesë e diplomacisë për të ruajtur atë çka u intereson drejtpërdrejt atyre, stabiliteti i vendit dhe stabiliteti në rajon. Kjo shpjegon njëfarësoj sjelljen e tyre, si me një njeri që mban bomba në duar. Për ta, duke qenë faktor stabiliteti, Berisha mund të jetë edhe e kundërta, që do të thotë se kujdesi i tyre për të mos e zemëruar “ariun”, është në logjikën e duhur. Prandaj ndërkombëtarët janë të kujdesshëm me ariun shqiptar që fut putrat në kosheret e opozitës në çdo rast, por nuk shquhen për ndjeshmëri të lartë kur vjen puna e shqyrtimit të demokracisë në Shqipëri: Ata e dinë që Berisha e shkel jo rrallë me të dyja këpucët malore këtë demokraci, por zgjedhin të jenë të paqartë e të bëjnë deklarata të mbushura me metafora.

Me sa duket, në logjikën e të huajve, sakrifikimi i demokracisë, pra edhe i drejtësisë, pra edhe i shtetit ligjor, për shkak të stabilitetit rajonal, është normale për Shqipërinë: “Ky është një vend i shtypur nga vetë historia që ai ka prodhuar, nga liderët që vetë ai i ka nxjerrë dhe të cilëve i është përulur e përkushtuar. Ky është një popull i dyzuar, që nuk mund të bëjë paqe me askënd, as me veten e vet, që urren vetveten, madje, demokracia mund të ngjajë e huaj për të, dhe ai nuk është gati për të shijuar liri, për të jetuar në liri, ndërsa shpesh ka përzgjedhur edhe vetë robërinë, diktaturën, sundimin dhe anarkinë. Kjo gjë u pa në ‘97-n, kur u vu re një prirje kolektive për vetëshkatërrim, mbas shfaqjes së një instinkti më të rrezikshëm edhe se gjakmarrja shfarosëse, instinkt i cili nxori në pah shpërfilljen e jetës, zhvlerësimin e saj. Drejtësia dhe demokracia janë dy mjete që ndikojnë dhe ndihmojnë drejtpërdrejt në cilësinë e jetës, por ç’kuptim e ç’rëndësi ka cilësia e një jete që nuk vlen e që shpërfillet nga vetë ata që e jetojnë, pra shqiptarët?”

Mbase kështu mendojnë të huajt për ne. Alibia e stabilitetit ka vendosur me sa duket një paqe të përkohshme midis Berishës dhe ndërkombëtarëve. Ata i premtojnë heshtazi atij paqartësi të dobishme, ky i premton këtyre duar të lira, me të cilat vjedh vota sa të dojë, me kusht që të mos ndodhet në to pishtari me të cilin mund të ndezë flakë po të dojë, gjithë Shqipërinë e më tej. Ndërkohë Saliu ecën sot mbi mina. Pushteti e ka mësuar se rreziku zhvillon edhe më shumë babëzinë, dhe kjo babëzi, si një instinkt i pamposhtur lideri, e shtyn në mënyrë vicioze të rrezikojë edhe më për më shumë pushtet dhe për më shumë hapësira, për kontrollin e të cilave duhet të testojë nervat e ndërkombëtarëve. A do ta tolerojnë ata këtë herë në çmendurinë e shpërfilljes së pushteteve, pasi vodhi dhe shkeli me këmbë drejtësinë?

Kjo mbetet për t’u parë. Është i panjohur koeficienti i tolerimit të ndërkombëtarëve për opinionin shqiptar. E paqartë është edhe shpresa që ata afrojnë me pakuptueshmërinë e qëndrimeve të tyre

Era85 11.06.2011 0 904
Kommentare
Sortiere nach: 
Per Seite:
 
  • Bis jetzt noch keine Kommentare vorhanden
Post info
Era85
Mos qaj nese dikush te ka lenduar......por qesh se ke hequr qafe dike qe s'te ka vleresuar....
11.06.2011 (vor 4716 Tagen)
Bewertungen
0 votes
Aktionen
Teilen
Categories
Filme (3 beiträge)
Lajme Shqip (292 beiträge)
Movies (2 beiträge)
Ngjarje (1 beiträge)
Politics (3 beiträge)
Politik (3 beiträge)
Tech News (48 beiträge)