Post view

BRESHËRITË E BERISHËS

Berisha, me pushkën e tij gojore automatike, lëshon predhat pa pushim e mbarim, pa menduar se vrasin moralin, mendimin, shpirtin, ndërgjegjen, sjelljen dhe etikën e popullit shqiptar. Energjitë e tij potenciale, tejet të egërsuara, i përdor për të vrarë shpresën e shqiptarëve. Ka kohë që Kryeministri i Shqipërisë është pozicionuar në poligonin e Parlamentit, në poligonin e pushtetit e në poligonin mediatik, pa llogaritur, që predhat që lëshon nga goja e tij, janë predhat e kryetarit të shtetit, që kanë plagosur perspektivën e popullit. Nga llogoria e pushtetit, predhat i janë drejtuar kreut të shtetit, Presidentit të Republikës, Prof. Dr. Bamir Topit, Prokurores së Përgjithshme, znj. Ina Rama, kryetarit të SHISH-it, edhe pse këta titullarë të lartë janë përfaqësues të forcës së tij politike. Kjo herezi e pazakontë në pluralizmin politik ndodh se këta protagonistë të jetës shqiptare kanë dalë nga rreshti i tutorit, të autokracisë berishiane. Fjalori i tij agresiv, i pisët, poshtërues, jo vetëm për figura të shquara shtetërore dhe opozitare, por edhe për personalitete femërore, janë pasuri kulturore, që vetëm njerëzit e xhunglave mund t’i nxjerrin nga goja. Pusi i fjalëve të pista është pasuruar edhe nga Kryetarja e Parlamentit, znj. Jozefina Topalli, e cila ka rolin e Kryetares së PD-së në kohë lufte. E gjithë kjo situatë amorale ka acaruar mjedisin politik dhe ka krijuar mundësi abuzive edhe në faktorin ndërkombëtar. Ambasadori amerikan në Shqipëri, z. Arvizu, ndihet i shqetësuar për demonstrimet paqësore të opozitës, që janë shprehje e demokracive liberale (porosit edhe qytetarët amerikanë të bëjnë kujdes, si të jenë në xhunglat e Afrikës) dhe nuk shqetësohet për gjithë anomalitë që sjell pushteti i korruptuar, që i ka zënë frymën dhe ka asfiksuar gjithë ekonominë e vendit. Demonstrimet e së premtes treguan që askush të mos ketë frikë, sepse elektorati opozitar është i kulturuar, i qytetëruar dhe i vetëpërmbajtur. Sjellja irrituese e turmës së 21 janarit rrodhi nga qëndrimi fyes, nënvleftësues e përçmues i Kryeministrit Berisha ndaj opozitës. Lideri opozitar Rama nuk ka manifestuar në asnjë rast mungesë qytetarie, por patriotizëm e shqiptarizëm, që Shqipëria të jetë e shqiptarëve, e jo e agallarëve-pushtetarëve. Përvoja e derisotme po tregon se Berisha është bërë mjeshtër i manipulimit të situatave politike, i kamuflimit të rasteve dhe komprometimit të faktorit ndërkombëtar, që kanë rolin e lidershipit në prioritetet e zhvillimeve të krizës politike. Ngjarjet mozaike në vite, që ka prodhuar politika provokuese greke, duke shkelur integritetin e shqiptarëve, janë dëshmi e koncesioneve që ka bërë qeveria “Berisha” për interesa korruptive. Berisha e mbajti fjalën e dhënë, si për fqinjin verior, ashtu edhe atë jugor, Greqinë. Të gjitha premtimet klandestine, që ka bërë kur mori pushtetin në 2005-n e në vazhdim, i ka realizuar me sukses. Hapi i parë i besnikërisë ndaj premtimeve që i ka dhënë Greqisë, është njohja e Kryepeshkopit të Kishës Autoqefale Shqiptare, hirësia e tij Janullatos. Kjo odise u pasua duke hapur katër qendra të varrezave greke në Korçë, Gjirokastër, Përmet dhe Tepelenë, hapja e shkollave greke në Jug të vendit, dhurimi i 344 kilometrave kufi detar, njohja e pronësisë së minoritarëve, (që siç thotë i madhi Çabej, kanë ardhur si bujkrobër 300 vjet më parë në tokat e libohovitëve) dhe shkëndija e fundit, vetëdeklarimi i kombësisë dhe fesë, duke krijuar konfuzion, për t’i hapur rrugë tjetërsimit të qytetarëve shqiptarë. Efektet e kësaj politike djallëzore e të mbrapshtë u konfirmuan me tjetërsimin e disa qytetarëve shqiptarë në grekë, në rrethet jugore të vendit. Denoncimi që i bëri nënkryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, z. Kreshnik Spahiu, është një akt sa juridik dhe patriotik, që gjeti aprovimin dhe sensibilizimin e të gjithë popullit shqiptar dhe të etnive vllahe, maqedonase e rome. Përfaqësuesit legjitimë, të zgjedhur me votën e popullit, pushteti, jo vetëm që është bërë palë me politikat shoviniste të qarqeve të caktuara greke, por bën marrëveshje klandestine që cenojnë integritetin e vendit tonë, duke ngjallur ëndrrat e vjetra vorioepiriote. Në këtë pazar të politikës së mbrapshtë shtetërore, Shoqata Atdhetare-Kulturore “Labëria”, do bëjë një tubim mbarëkombëtar më 22 SHKURT 2011, ora 11:00, në Muzeun Historik, për të dënuar këtë agresion që i bëhet Kushtetutës së Shqipërisë, me formularët fantazmë të vetëdeklarimit të kombësisë. Ideja e Vorioepirit, që shovinisti Venizello iu drejtua ministrit të tij të Luftës: “Le të ketë një çikë Shqipëri, por të mos ketë Labëri”, ne duam t’u themi pasardhësve të tyre, se për fat të “keq” ka një çikë Labëri, e shumë Shqipëri, nga Kosova deri në Çamëri. Noli ynë i madh, shkruante se: “Kur lëngon Shqipëria, zgjohet Labëria”. Shteti ynë i shitur, me në krye Berishën, t’i heqë prangat e pazareve të pista me Greqinë, sa nuk është vonë, se arena politike ka edhe patriotë, që as shiten e as blihen sipas modeleve të korrupsionit qeveritar.

Era85 21.02.2011 0 954
Comments
Order by: 
Per page:
 
  • There are no comments yet
Post info
Era85
Mos qaj nese dikush te ka lenduar......por qesh se ke hequr qafe dike qe s'te ka vleresuar....
21.02.2011 (4834 days ago)
Rate
0 votes
Actions
Recommend
Categories
Filme (3 posts)
Lajme Shqip (292 posts)
Movies (2 posts)
Ngjarje (1 posts)
Politics (3 posts)
Politik (3 posts)
Tech News (48 posts)