Beitragsansicht

Arvizu: Ndryshimet përmes zgjedhjeve

Gjatë një interviste për “Zërin e Amerikës, ambasadori amerikan u shpreh i kënaqur që protestat e fundit të opozitës kaluan pa probleme.

Pyetjes së gazetarit të “Zërit të Amerikës” për një perceptim se ai mbështet qeverinë e Sali Berishës, Arvizu thotë:

“Ne nuk mbajmë as  anën e qeverisë dhe as të opozitës. Po përpiqemi të bëjmë atë që është më e mira për Shqipërinë. Po japim ndihmesë për institucionet e pavarura, siç është zyra e Prokurores së Përgjithshme. Ne po shpenzojmë fonde të qeverisë amerikane për të ndihmuar me hetimet, pasi për mua, hetimet janë jetike për të sqaruar shumë çështje dhe shqetësime. Ne nuk po mbajmë anë”.

Ambasadori amerikan iu referua edhe daljes në pah të konfliktit ndërinsitutcional mes kryeministrit, presidentit dhe prokurores së përgjithshme duke thënë se në një demokraci duhet të ekzistojë sistemi i kontrollit dhe balancës, ai kujton se Shqipëria është një vend anëtar i NATO-s dhe sistemi të veprojë me këtë status.

“Dua të theksoj po ashtu se u takon njerëzve që janë në krye të këtyre institucioneve, si Prokurorja e Përgjithshme, Drejtori i ShISh-it, apo edhe zyra e presidentit, u takon këtyre që t’i realizojnë funksionet e këtyre zyrave në një mënyrë të tillë, që të zgjidhin shqetësimet shtetërore, pra duhet të ketë integritet në kryerjen e funksioneve të këtyre institucioneve”,

Arvizu komentoi edhe ngritjen e komisionit hetimor parlamentar, për ngjarjet e 21 janarit.

“Për fat të keq ky komision parlamentar mbizotërohet nga demokratët pasi socialistët e kanë bojkotuar. Komisionet kanë një rol në demokraci. Por përsa i takon qëndrimit tonë, hetimet e vërteta, ato për të cilat ne po ndihmojmë, janë ato që po kryhen nga Prokurorja e Përgjithshme. Ajo gëzon mbështetjen tonë të plotë dhe ne jemi të angazhuar të punojmë me të. Vura re se para disa ditësh, asaj iu kërkua të dilte para komisionit parlamentar. Ajo doli po nuk pranoi t’u përgjigjej pyetjeve. Unë e mirëprita faktin që ajo doli para komisionit. Kjo tregon se ajo respekton të drejtën e parlamentit si institucion që ta thërrasë atë si një zyrtare shteti. Po ashtu, ajo përdori edhe të drejtën e saj për të mos iu përgjigjur pyetjeve, pasi në fakt ajo vetë është duke kryer hetime. Për mua ky është një tregues i një demokracie në veprim”, tha Arvizu.

Sa i takon etiketimit të ngjarjeve si grusht shteti, Arvizu e quan këtë një akuzë shumë serioze.

“Kjo është një akuzë shumë serioze dhe duhet të mbështet me fakte. Në se ka të dhëna atëhere qeveria duhet ta paraqesë këtë rast. Është një akuzë shumë serioze.”, theksoi Arvizu.

Pyetjes për një bojkot të mundshëm të opozitës për zgjedhjet lokale të majit, ambasadori amerikan në Tiranë thotë se do të ishte jashtëzakonisht për të ardhur keq nëse nuk do të zhvilloheshin.

“Ka ende kohë deri më 8 maj. Mendoj se do të ishte jashtëzakonisht për të ardhur keq në se zgjedhjet nuk do të zhvilloheshin. Dhe do të ishte po aq keq nëse opozita, ose ndonjë parti tjetër, do të vendoste të mos merrte pjesë. Demokracitë funksionojnë vetëm kur ka zgjedhje të besueshme. Kjo është mënyra si ndryshohen përfaqësuesit e zgjedhur, si ndryshohen qeveritë. Ato nuk ndryshohen me protesta në rrugë, apo me demonstrata. Ato ndryshohen përmes procesit elektoral. Dhe në Shqipëri ky sistem ekziston”, deklaroi Arvizu.

“Rekomandimi im i sinqertë, si për qeverinë, për partinë në fuqi, ashtu edhe për opozitën është ky: Nuk ka gjë të keqe të bëjmë demonstrata, sa kohë që ato janë paqësore. Por në vend që të bëjmë demonstrata të premteve, mendoj se të dy palët mund të organizojnë ditën kombëtare të dëgjimit të opinioneve. Pra, le të mos kemi konferenca shtypi nga Kryeministri, as intervista dy orëshe nga Edi Rama në Neës 24, as deklarata nga zoti Patozi, kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike dhe as reagime nga Spartak Ngjela. Me fjalë të tjera, le të mos kemi komente për shtypin. Por le të shkojnë ata në terren, jo në bazën e tyre zgjedhore, por diku tjetër dhe të dëgjojnë atë që mendojnë njerëzit”, tha Arvizu.

Sipas Arvizut, vetëm angazhimi i udhëheqësve politikë, Berishës dhe Ramës do të ulëte tensionet në vend.

“Ju patjetër që e dini pikëpamjen time dhe të Shteteve të Bashkuara, të cilën ne e kemi shprehur qartë. Besoj se edhe pozicioni i Bashkimit Evropian dhe secilit vend të tij të veçantë ka qenë shumë i qartë, po ashtu edhe i OSBE-së dhe i miqve të Shqipërisë në botë. Ne mund të flasim pa fund, deri sa të  na ngjiret zëri dhe të themi të drejtën zëri na është ngjirur. Por është e nevojshme që të dale diçka nga brenda, duhet një anagazhim i njerëzve si Sali Berisha, si Edi Rama dhe  mbështetësve të tyre, pra duhet vullnetin e tyre për të gjetur rrugëdaljen. Por kjo duhet të vijë prej tyre”, është shprehur Arvizu.

Arvizu sugjeron që zgjedhjet e majit të jenë një farë referendumi kombëtar. Ai sheh si pozitiv faktin që në Shqipëri nuk ka ndarje sektare serioze, por siç thotë ai, kemi të bëjmë me politika personale.

Ai cilësoi gjatë intervistës për “Zërin e Amerikës”, një problem shumë serioz korrupsionin, i cili nuk është një fenomen thjesht qeveritar, por shqiptar.

Duke iu rikthyer luftës politike dhe kërkesës për zgjedhje të parakohshme, Arvizu thekson se çdo demokraci funksionale ka mekanizma kushtetues për ndryshimet në qeverisje

Era85 06.02.2011 0 1152
Kommentare
Sortiere nach: 
Per Seite:
 
  • Bis jetzt noch keine Kommentare vorhanden
Post info
Bewertungen
0 votes
Aktionen
Teilen
Categories
Filme (3 beiträge)
Lajme Shqip (292 beiträge)
Movies (2 beiträge)
Ngjarje (1 beiträge)
Politics (3 beiträge)
Politik (3 beiträge)
Tech News (48 beiträge)